- xhamitë,
- mesxhidet,
- mektebet,
- ndërtesat arsimore – edukative,
- ndërtesat administrative (selitë e institucioneve të BIK-së),
- godinat banesore,
- lokalet afariste,
- teqetë,
- tyrbet,
- hamamet,
- gasulhanet,
- varrezat, e të tjera.
INSTITUCIONET FETARE-ARSIMORE
Institucionet fetare-arsimore të Bashkësisë Islame të Kosovës janë: xhamitë, mesxhidet, medresetë dhe Fakulteti i Studimeve Islame në Prishtinë.
12.1. Xhamitë
Ndër institucionet e para të themeluara janë xhamitë, të cilat edhe paraqitnin bërthamën e kompleksit të ndërtesave të tjera. Madje, tek ne, ka raste që me ndërtimin e xhamisë zë fill edhe ndërtimi i një vendbanimi a qyteti, siç është rasti me xhaminë e Hadim Agës të ndërtuar më 1594 në Gjakovë nga Bizeban Sylejman Aga nga fshat Guskë i Gjakovës.
Xhamia e parë e ndërtuar tek ne në Kosovë ka filluar të hedhë shtat menjëherë pas Betejës së Kosovës (1389), themelet e së cilës i nisi Bajazit Jalldëremi, ndërsa e përfundoi sulltan Mehmet Fatihu II. Pas ndërtimit të kësaj xhamie, në Kosovë do të ndërtohen edhe shumë xhami të tjera. Ky aktivitet u zgjerua sidomos gjatë shek. XVI dhe në gjysmën e parë të shek. XVII, kur shqiptarët kishin pranuar fenë islame në masë më të madhe.
Xhamitë, përveç rolit të tyre primar, si vend për falje, janë vënë në shërbim të popullatës si qendra të arsimimit dhe të edukimit dhe si vende tubimesh për aktivitete e vendime të rëndësishme për fatet e këtij vendi.
Ndër xhamitë më të rëndësishme në Kosovë, do të veçojmë:
Në Prishtinë: Xhamia e Çarshisë (1389), Xhamia “Sulltan Mehmet Fatih (1460/61), Xhamia “Ramadanije” (e Llapit) (1569), Xhamia “Pirinaz” (1470), Xhamia "Jashar Pasha" (1834) etj. Në Gjakovë: Xhamia “Hadim Aga” (1594/5). Në Pejë: “Bajrakli Xhamia” (1471), Xhamia "Gjylfatyn" (1497), Xhamia e "Defterdarit" (1570), Xhamia "Kurshumli" (1577), Në Prizren: Xhamia e "Gazi Mehmed Pashës" (1573/74), Xhamia “Sinan Pasha” (1615/16), Xhamia "Emin Pasha" (1831/32), Xhamia e Kuklibegut (1534/35), Xhamia e Myderriz Ali efendiut (1581), Xhamia e Iljas Kukës (1543) etj.
Në Kaçanik: Xhamia e Koxha Sinan Pashës (1594). Në Gjilan: Xhamia "Atik" (shek. XVII). Në Rogovë: Xhamia e Jemishxhi Hasan Pashës (1580). Në Vushtrri: Xhamia e "Gazi Ali Beu" (1410), Xhamia “Karamanli” (1675) etj.
Në kuadër të Bashkësisë Islame të Kosovës sot veprojnë mbi 800 xhami.
12.2. Mejtepet
Mësimet e arsimimit fetar islam, Bashkësia Islame e Kosovës i organizon nëpërmjet kuadrit të saj të punësuar nëpër xhami, ku imami, përveç detyrave të tjera, organizon dhe mban edhe mësim-besimin (mësimi në mejtep), të cilin e vijojnë fëmijët myslimanë në kuadër të një xhemati, respektivisht në kuadër të një xhamie a mesxhidi. Në kuadër të mësim-besimit në mejtep fëmijët (nxënësit) marrin mësimet fillestare-themelore të fesë islame, si shartet-kushtet e fesë islame, shkronjat dhe leximin e Kuranit etj.
Ndër mejtepet më të vjetra në Kosovë, për të cilat dihet me siguri dhe për të cilat ekzistojnë edhe vakëfnametë, është mejtepi i Suziut në Prizren, i ndërtuar në vitin 1513, në të cilin mejtep vetë Suziu ishte mualim. Një mejtep tjetër është ai që u ndërtua nga vakëflënësi i madh dhe pesë herë sadriazemi i Perandorisë Osmane, Koxha Sinan Pasha në Kaçanik etj.
Në të kaluarën pranë çdo xhamie ka ekzistuar pothuajse detyrimisht edhe mejtepi. Kjo traditë është kultivuar deri në ditët tona.
Duhet theksuar edhe faktin se, përveç këtyre shkollave, në Kosovë, gjatë administrimit të Perandorisë Osmane, kanë vepruar edhe shkolla të tjera, siç janë mejtepet Ibtidai, pastaj Rushdijet, Idadijet, dhe shkollat Darul-mual-limin dhe medresetë.
12.3. Kutubhanet / Bibliotekat islame
Historia e edukimit dhe e arsimit islam në Kosovë ka një lidhje të ngushtë me bibliotekat, sepse midis shkollave islame (mejtebeve, medreseve etj.) dhe bibliotekave kishte marrëdhënie të ngushta dhe të veçanta. Shumicën e bibliotekave, që u themeluan në kuadër të arsimimit islam në trojet tona, i themeluan bamirësit duke vakëfnuar numër të madh veprash të ndryshme nga lëmi i shkencave islame dhe të tjera. Vakëflënësit i ndërtuan bibliotekat pranë mejtebeve, medreseve, xhamive, teqeve etj.
Ndër bibliotekat islame - kutubhanet më të vjetra në Kosovë është ajo që e themeloi poeti dhe alimi prizrenas, Suziu (1513) pastaj ajo e "Mehmed Pashës" në Prizren, themeluar në vitin 1573, e Mehmed Hajrudinit-Kuklibegut (1535), e "Atik Medresesë" në Pejë (1516), biblioteka e "Medresesë së Madhe" Gjakovë më 1733, e cila është djegur së bashku me xhaminë e Hadim Agës nga forcat serbe në luftën e fundit në Kosovë më 1999 etj.
Në Kosovë kanë ekzistuar edhe disa kutubhane private, si p.sh. ajo e pinjollëve dhe dinjitarëve të familjes Gjinolli: Maliq pasha, Jashar pasha, Bahtijar pasha, pastaj biblioteka e myftiut të Prishtinës, Hysejn efendi haxhi Sadikut, biblioteka e familjes Junusi, po nga Prishtina, Hafiz Abdullah ef. Hizrit nga Prizreni etj.
12.3.1. Biblioteka Qendrore e Vakëfit në Prishtinë
Njëra ndër bibliotekat islame më të reja në Kosovë është "Biblioteka Qendrore e Vakëfit" në Prishtinë. Kjo bibliotekë u themelua më 24 shtator 1951, nga udhëheqësit e atëhershëm të BFI-së të Kosovës me hfz. Bajram ef. Agani në krye, ndërsa u dogj më 1999 nga forcat serbe.
Dorëshkrimet dhe librat e vjetër në gjuhën arabe, osmane dhe persiane, që i shpëtuan dhëmbit të kohës, sot ruhen në Bibliotekën Qendrore të Bashkësisë Islame të Kosovës. Në këtë bibliotekë ka mbi 1000 vepra në dorëshkrim, disa prej tyre kanë për autorë ulemanë vendëse, dhe paraqesin një thesar të paçmuar të kulturës islame-shqiptare me vlera shkencore, historike, artistike e fetare.
12.4. Medresetë
Medreseja është shkollë e mesme, e cila përgatit kuadro për nevojat e institucioneve të Bashkësisë Islame, si imamë, hatibë, mualimë, vaizë etj. Në të kaluarën, varësisht nga rrethanat arsimore që kanë mbizotëruar, medresetë kanë qenë të rangut të ndryshëm.
Deri në vitin 1948, kur edhe mbyllet medreseja e fundit në Kosovë, ka ekzistuar një numër i konsiderueshëm i medreseve, madje edhe nga dy e më shumë në të njëjtin qytet, si medreseja "Sulltan Selimi III" dhe medreseja "Pirinaz" në Prishtinë, medreseja "Mehmed Pasha", medreseja "Sinan Pasha" dhe medreseja "Emin Pasha" në Prizren, medreseja "Atik" në Gjilan, medreseja "Atik" në Pejë, "Medreseja e Madhe" dhe "Medreseja e Vogël" në Gjakovë etj.
12.4.1. Medreseja e mesme "Alaudin"
Traditën e këtyre medreseve të famshme në Kosovë, të cilat kanë dhënë një kontribut të madh në arsimimin dhe edukimin e popullit tonë ndër shekuj, e ka vazhduar medreseja "Alaudin".
Medreseja “Alaudin”, si institucion edukativ e arsimor, u themelua në Prishtinë më 1951.
Medreseja nisi punën në godinën e ndërtuar në oborrin e Xhamisë "Alaudin", prej nga më vonë e mori edhe emrin. Si medrese e ulët veproi plot 10 vjet - deri më 1961, kur ngritet në rangun e medresesë së mesme me sistem mësimi 5-vjeçar.
Medreseja “Alaudin” e Prishtinës ishte dhe deri vonë mbeti e vetmja shkollë e tillë në të gjithë hapësirën shqiptare, në të cilën përgatitja fetare dhe profesionale bëhej në gjuhën shqipe. Në këtë medrese mësimet i kanë ndjekur një numër i madh i nxënësve që vinin nga të gjitha trojet shqiptare jashtë Shqipërisë londineze, si dhe nga Sanxhaku e Bosnja.
Në vitin 1979, Kryesia e Bashkësisë Islame mori vendimin ta ndërtonte një godinë të re që do të ishte adekuate dhe do t’i plotësonte nevojat e kërkesat e një shkolle të mesme. Kjo iniciativë u kurorëzua me sukses në vitin 1985, kur medreseja filloi punën në godinën e re, e cila i plotësonte kushtet për zhvillimin dhe mbarëvajtjen e procesit mësimor.
Godina e medresesë është projektuar e ndërtuar për shkollim të tipit konviktor, ku nxënësve u ofrohen banimi, qëndrimi e ushqimi. Kjo godinë ka edhe objektet përcjellëse, siç janë: mësonjëtoret e pajisura me inventar bashkëkohor, kabinetet për gjuhë të huaja, amfiteatri, fusha e salla e sportit, ambulanca, biblioteka me një fond të pasur librash në gjuhë e në disiplina të ndryshme, kabinetet për informatikë dhe për shkencat e natyrës.
Procesi mësimor në medrese zhvillohet sipas planprogramit të miratuar nga Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Ministria e Arsimit të Kosovës. Diploma e medresesë është e barasvlershme me diplomat e shkollave të mesme, sepse medreseja sot është shkollë e mesme në rang të gjimnazit të përgjithshëm.
Nxënësit e Medresesë i zhvillojnë aktivitetet e tyre në kuadër të Shoqatës së nxënësve, e cila, përveç tjerash, nxjerr edhe fletushkat “Drita e Kuranit” në Prishtinë dhe “Besimi” në Prizren.
Kërkesat e shumta të besimtarëve për t’i shkolluar fëmijët e tyre në medrese bënë që medreseja të hapte paralelet e saja, fillimisht në Novi Pazar, e pastaj edhe në Prizren e Gjilan, kurse nga viti 1997 në kuadër të medresesë “Alaudin” u hapën edhe klasat e vajzave në Prishtinë dhe në Prizren, si një hap me rëndësi drejt shkollimit dhe emancipimit të femrës shqiptare myslimane.
Mësimet në Medresenë “Alaudin” të Prishtinës, me paralelet e saja në Prizren e në Gjilan dhe me klasat e vajzave, sot i vijojnë mbi 700 nxënës nga Kosova, Shqipëria dhe Lugina.
Medreseja “Alaudin” e Prishtinës, edhe pas gjashtë dekadash, vazhdon misionin e saj, vazhdon rrugën dhe traditën e begatë kulturore-arsimore islame e kombëtare.
12.5. Fakulteti i Studimeve Islame
Rezultatet e medresesë "Alaudin", rrita dhe zhvillimi i Bashkësisë Islame, nevoja për t'u shkolluar në nivelin e lartë, krijimi i rrethanave të reja shoqërore-politike, bënë që organet drejtuese të Bashkësisë Islame të Kosovës të merrnin vendimin për themelimin e Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë, si institucion i arsimit të lartë islam në nivel universitar.
Fakulteti i Studimeve Islame (FSI) në Prishtinë e filloi punën në dhjetor të vitit 1992. Ligjëratën e parë nga lënda e Akaidit e ka mbajtur veterani i arsimit kombëtar dhe islam në Kosovë, H. Sherif Ahmeti.
Mësimet në Fakultetin e Studimeve Islame zgjasin katër vite akademike, respektivisht tetë semestra. Pas përfundimit të provimeve të parapara me Statutin e Fakultetit, studenti përgatit punimin e diplomës, të cilin e mbron para komisionit përkatës.
Në Fakultetin e Studimeve Islame mësohen lëndët: Kurani, Tefsiri, Hadithi, Fikhu, Akaidi, Usuli fikhu, Qytetërimi islam, Sire, Filozofia islame, Gjuha shqipe, arabe, angleze, turke etj.
Në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë, përveçse nga Kosova, ka studentë edhe nga Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia dhe Lugina e Preshevës.
Puna e Fakultetit të Studimeve Islame pati nisur në një godinë të improvizuar, kurse sot ky institucion ka siguruar kushte hapësinore dhe kadrovike sipas standardeve bashkëkohore. Godina e FSI-së është shumë funksionale dhe ka gjithçka që është e nevojshme për punë cilësore. Ndërtesa është e pajisur me mjetet më moderne të mësimdhënies dhe të mësimnxënies, që ofrojnë kushte për një proces mësimor cilësor.
Fakulteti i Studimeve Islame është akredituar për tre vjet, me vendimin numër 432/12, të datës 6.7.2012.
Fakulteti i Studimeve Islame i Prishtinës ka një bibliotekë të pasur për nevojat e studentëve dhe të pedagogëve.
Pedagogët e Fakultetit të Studimeve Islame nxjerrin revistën shkencore "Buletini", kurse studentët revistën e tyre “Zgjimi islam”.
Fakulteti i Studimeve Islame drejtohet nga dekani, prodekani dhe Këshilli Mësimor-Shkencor i fakultetit, i cili është organ kolegjial i fakultetit.
Deri tani në Fakultetin e Studimeve Islame kanë diplomuar 230 studentë.
12.6. Instituti i Hifzit në Gjakovë
Tradita e mësimit përmendësh të Kuranit ka ekzistuar që nga ditët e para të shtrirjes së Islamit tek ne dhe në mënyrë të organizuar e institucionale ka vazhduar deri më 1948, kur qe mbyllur me dhunë medreseja “Mehmed Pasha” e Prizrenit, që ishte një çerdhe për mësimin përmendësh të Kuranit. Hifzi në mënyrë institucionale është mësuar edhe në medresetë e Gjakovës, Pejës, Gjilanit dhe në qytete të tjera të Kosovës, gjithnjë deri në fillim të Luftës së Dytë Botërore.
Pas Luftës së Dytë Botërore, në trojet tona, hifzi i Kuranit ka vazhduar nëpër xhami tek hafizë të njohur, të cilët talebeve, kryesisht në moshë të re, ua mësonin përmendësh Kuranin, respektivisht i mbikëqyrnin ata gjatë nxënies të tij. Kjo traditë në vitet 69-70 të shekulli të shkuar ka qenë më e theksuar në Preshevë, Tërnoc të Bujanocit dhe në vise të tjera të Kosovës.
Kur nxënësi mësonte përmendësh tërë Kuranin, ai para një komisioni profesional dhe para muhafizit të tij dhe para shumë të pranishmëve, demonstronte aftësitë e tij, dhe aty zyrtarisht merrte titullin "Hafiz".
Duke ditur rëndësinë që ka hifzi, Bashkësia Islame e Kosovës më 2005, në objektet e ish-Medresesë së Madhenë Gjakovë, ka themeluar Institutin e Hifzit, në të cilin nxënësit mësojnë përmendësh Kuranin. Mosha e nxënësve që ndjekin mësimet në Institutin e Hifzit në Gjakovë është nga 10-17 vjeç. Duhet thënë se në këtë Institut, nxënësit përveç mësimit përmendësh të Kuranit, ndjekin edhe mësimet e rregullta në shkollat publike.
Deri sot ky institut ka nxjerrë 20 hafizë nga Kosova.


