Vakëfet kanë luajtur një rol të rëndësishëm dhe domethënës në jetën e myslimanëve kudo, pra edhe të myslimanëve shqiptarë, si në aspektin fetar, ashtu edhe në aspektin kulturor, social dhe human. Roli i vakëfit është shumë i madh edhe në formimin dhe ndërtimin e zhvillimin e shumë lagjeve e kasabave/qyteteve shqiptare. Të rralla janë vendbanimet tona ku jetojnë, ose ku kanë jetuar myslimanët e të mos kenë një e më shumë vakëfe dhe hajrate. Në vendbanimet urbane numri i vakëfeve është më i madh për të arritur në dhjetëra sosh.
Institucioni i vakëfit ka luajtur një rol jashtëzakonisht të madh dhe të pakrahasueshëm për përhapjen e fesë islame në vendin tonë dhe për përhapjen e kulturës islame në këto anë, rrjedhimisht edhe për mbajtjen, stimulimin e institucioneve arsimore islame, si medreseve, mektebeve e xhamive dhe për mbushjen e pasurimin e fondeve të bibliotekave të këtyre institucioneve.
Shumica e institucioneve islame në Kosovë gjatë historisë kanë qenë të ngritura dhe të themeluara falë vakëflënësve, shumica bij të këtyre hapësirave, të cilët jo vetëm se kanë lënë vakëfe e hajrate në vendlindjen e tyre, por edhe gjithandej Perandorisë Osmane, madje edhe deri në Jemen dhe Mekë e Medinë, si p.sh. Koxha Sinan pasha, Kuklibegu, Jemishxhi Hasan Pasha, familja fisnike e Rrotllajve të Prizrenit, Kryezinjtë e Gjakovës, Mahmutbegollët e Pejës, Gjinollët e Prishtinës etj.
Por, shumë nga këto vakëfe e hajrate që kanë lënë këta bamirës, fatkeqësisht janë shkatërruar, janë uzurpuar, janë tjetërsuar dhe janë bërë pre e njerëzve lakmitarë dhe e pushteteve nëpër të cilat kaloi Ksova.
Edhe sot Bashkësia Islame e Kosovës kryesisht funksionon dhe vepron falë vakëfeve dhe hajrateve që kanë lënë dhe vazhdojnë të lënë bamirësit e ndryshëm.
Prona e Bashkësisë Islame është dhe realizohet prej:
- vakëfeve dhe pasurisë tjetër të luajtshme e të paluajtshme, që u takojnë organeve dhe institucioneve të BI-së, si dhe të ardhurave nga kjo pasuri;
- zekatit, sadakul – fitrit dhe kurbaneve;
- anëtarësisë dhe donacioneve të tjera të pjesëtarëve të Bashkësisë Islame;
- dhuratave dhe vasijeteve;
- aksioneve, fondeve dhe të ardhurave prej tyre;
- të ardhurave prej shërbimeve dhe taksave fetare për kryerjen e shërbimeve administrative e të tjera;
- të ardhurave dhe ndihmave të tjera të ndryshme.


